Në cilësinë e Kryetarit të Degës Regjionale të Odës së Avokatëve të Kosovës në Pejë, së bashku me Avokatin Taulant Broqi, zhvilluam takim me Drejtorin Rajonal të Policisë në Pejë, Nënkolonel Agron Hasanaj, lidhur me disa shqetësime të ngritura nga avokatët për mënyrën e qasjes dhe trajtimit të tyre gjatë ushtrimit të detyrës profesionale në kuadër të Njësisë Rajonale të Trafikut në Pejë.

Në takim u ngrit veçanërisht çështja e pengesave të reja që po hasin avokatët gjatë qasjes në këtë njësi, duke theksuar se një praktikë e tillë nuk ka ekzistuar deri më tani dhe se krijimi i kufizimeve të reja, pa një komunikim dhe koordinim paraprak me Odën e Avokatëve, ka shkaktuar shqetësim në mesin e avokatëve.

Nga ana e Degës Regjionale u theksua se avokatët, gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, duhet të kenë qasje sa më të lehtë dhe të arsyeshme në institucionet publike, në mënyrë që të mund të përfaqësojnë në mënyrë efektive klientët e tyre dhe të kryejnë veprimet e nevojshme profesionale pa pengesa të panevojshme.

Po ashtu, u theksua se Oda e Avokatëve e respekton nevojën e Policisë për organizim dhe siguri institucionale, mirëpo masat organizative apo të sigurisë nuk duhet të shndërrohen në pengesa të panevojshme për ushtrimin e profesionit të avokatit.

Gjatë takimit u diskutua rëndësia e ruajtjes së bashkëpunimit korrekt dhe institucional ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Odës së Avokatëve, me qëllim që çështjet eventuale të zgjidhen përmes komunikimit të drejtpërdrejtë dhe koordinimit ndërinstitucional.

Takimi u zhvillua në frymë korrekte, institucionale dhe bashkëpunuese, me qëllim të adresimit të shqetësimeve të avokatëve dhe gjetjes së një zgjidhjeje që do të mundësonte funksionimin normal të të dy institucioneve.

Si përfaqësues të Degës Regjionale të OAK-së në Pejë, theksuam se qasja e lirë, e arsyeshme dhe pa pengesa të panevojshme e avokatëve në institucionet e Policisë është e rëndësishme për ushtrimin efektiv të profesionit të avokatisë dhe për funksionimin e drejtë të sistemit të drejtësisë.

U shpreh gatishmëri për vazhdimin e komunikimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional për adresimin e çdo çështjeje që mund të paraqitet në të ardhmen.

Leave Comments